Kryeministri polak – Macronit: President, me kriminelët nuk negociohet – do të negocionit me Hitlerin?

  • E.K /
  • 04 April 2022 - 14:11
Kryeministri polak – Macronit: President, me kriminelët nuk negociohet – do të negocionit me Hitlerin?

Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki bëri thirrje për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për ta hetuar gjenocidin, i cili tha se u krye nga ushtria ruse në qytetet ukrainase, përfshirë Buchan së fundmi, ku u vranë më shumë se 400 civilë.

“Ato masakra të përgjakshme të kryera nga rusët, ushtarët rusë, duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë. Është gjenocid dhe duhet të dënohet”, u tha Morawiecki gazetarëve.

“Kjo është arsyeja pse ne po propozojmë krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të hetuar këtë krim të gjenocidit, i cili është i nevojshëm nëse duam ta dimë të vërtetën për krimet fashiste ruse”, tha ai.

Morawiecki u bëri thirrje vendeve perëndimore të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe e krahasoi presidentin rus Vladimir Putin me ish-diktatorët gjakatarë.

Me diktatorë të tillë nuk negociohet, tha ai, dhe siç shkruan The Times, i bëri thirrje Perëndimit që të vendosë sanksione që do të funksionojnë.

Ai iu drejtua në mënyrë të veçantë për presidentin francez Emmanuel Macron.

“President Macron, sa herë keni negociuar me Putinin? Çfarë keni arritur? Keni ndalur ndonjë nga veprimet që kanë ndodhur?”, tha Mateusz Morawiecki. “Me kriminelët nuk negociohet, kriminelët duhet të luftohen. Askush nuk negocioi me Hitlerin. Do të negocionit me Hitlerin, me Stalinin, me Pol Potin?”.

Kryeministri polak i akuzoi edhe disa liderë tjerë europianë për zvarritje dhe fraza të zbrazëta.

“Mos dëgjoni biznesmenët gjermanë, miliarderët gjermanë (…) por zërat e grave dhe fëmijëve të pafajshëm. Zërat e të vrarëve”, tha ai duke iu referuar kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Ukraina akuzoi të dielën Rusinë për”gjenocid, duke thënë se ishin gjetur trupat e 410 civilëve pranë Kyivit, një zonë ku ajo ka rimarrë kontrollin këto ditë, por Moska i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se pamjet nga Bucha ishin “të porositura”.

(Kosova Sot Online)