Osmani: Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën

  • A.P /
  • 04 April 2022 - 15:53
Osmani: Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën

Sot janë bërë një vit që kur Vjosa Osmani mori detyrën e Presidentes së Kosovës. Përmes një adresimi, Osmani tha se këtë detyrë e mori si rezultat i besimit të qytetarëve dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

“Viti i kaluar po aq sa ka qenë i veçantë është karakterizuar edhe nga shumë sfida lokale e globale. Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Si udhëheqëse e politikës e jashtme Osmani shprehet se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.

“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet Osmani në një konferencë për media.

Ajo ka thënë se po punojnë vazhdimisht për avancimin e rrugës drejt integrimit euro-atlantik.

“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.

Osmani thotë se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.

(Kosova Sot Online)