Gjykimi për shpërthimin në Zhur, bashkëshortja e policit të vrarë parashtron kërkesë pasurore – juridike

  • E.K /
  • 05 April 2022 - 12:08
Gjykimi për shpërthimin në Zhur, bashkëshortja e policit të vrarë parashtron kërkesë pasurore – juridike

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dhënë deklaratën e saj bashkëshortja e policit të vrarë, Sami Thaqit, në gjykimin ndaj të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi, të akuzuar për rastin e shpërthimit në Zhur ku humbi jetën polici Sami Thaqi dhe lëndime të rënda trupore pësuan pesë persona të tjerë.

Së bashku me Badallin dhe Gashin, ka qenë i akuzuar edhe Valbon Çollaku, për veprën penale “Importi, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, mirëpo i njëjti në seancën fillestare ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht.

E dëmtuara Merita Qunaj deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori si dhe deklaroi se për momentin është e papunë dhe se atë dhe fëmijët e saj i mban kunati i saj Naimi.

Shtoi se ditën kur ka ndodhur ngjarja kishte qenë në shtëpi dhe se bashkëshorti i saj atë ditë, i ka treguar se po shkon në punë.

Në fund tha se fëmijët e saj janë të moshës 12, 10 dhe 3 vjeçare dhe se për humbjen e bashkëshortit të saj parashtron kërkesë pasurore juridike.

Pasi që nuk ishte planifikuar ndonjë gjë tjetër për seancën e sotme, e njëjta është ndërprerë dhe do të vazhdojë më 20 prill 2022, ku do të dëgjohen dëshmitarët Rami Badalli, Lëndim Berisha si dhe rreshteri policor Faton Morina.

Ndryshe, sipas dispozitivit I të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020  në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)