Presidenti gjerman shpreh keqardhje që kishte qëndrim dashamirës për Rusinë

  • G.G /
  • 05 April 2022 - 12:49
Presidenti gjerman shpreh keqardhje që kishte qëndrim dashamirës për Rusinë

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, një avokues për një kohë të gjatë i afrimit të Perëndimit me Rusinë, ka shprehur keqardhje për qëndrimin e tij të mëparshëm në raport me Rusinë.

Ai për herë të parë e pranoi se kishte bërë gabim në politikën e tij karshi Rusisë.

“Këmbëngulja ime për Nord Stream 2 ishte një gabim i qartë. Ne u qëndruam besnikë urave, të cilave Rusia nuk u besonte më, gjë për të cilat na kishin paralajmëruar partnerët tanë”, tha Steinmeier.

Steinmeier, një socialdemokrat që shërbeu si ministër i Jashtëm nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel përpara se të bëhej president, tha se pushtimi rus në Ukrainë nënkupton që ai dhe të tjerët do të japin llogari sinqerisht për gabimet e tyre, shkruan CCN.

Steinmeier ishte anëtar i një krahu të Partisë së tij Socialdemokrate, të udhëhequr nga ish-kancelari Gerhard Schroeder, i cili argumentoi se lidhjet e ngushta ekonomike me Rusinë ishin një mënyrë për ta ankoruar atë brenda një sistemi global të orientuar nga perëndimi.

Qëndrimet e tij ndaj Rusisë kanë shkaktuar reagime në rrjete sociale ku po postohen në vazhdimësi fotografitë e mëhershme të presidentit gjerman duke u përqafuar me dashamirësi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“E hidhur është gjithashtu se ne dështuam në krijimin e një shtëpie të përbashkët europiane, në të cilën përfshihet edhe Rusia. Dështuam me qasjen për të përfshirë Rusinë në një arkitekturë të përbashkët sigurie”,  tha Steinmeier në një konferencë për media në Berlin.

Një zë i fuqishëm kritik ndaj Steinmeier ka qenë edhe ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, i cili e kishte konsideruar fyerje kur Steinmeier organizoi një koncert solidariteti për Ukrainën.

(Kosova Sot Online)