Latifi takohet me ambasadoren izraelite, thotë se e ka një plan për transformimin e shëndetësisë

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 12:41
Latifi takohet me ambasadoren izraelite, thotë se e ka një plan për transformimin e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, është takuar sot me Ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, me ç ‘rast temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.

Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ministri Latifi tha se është i nderuar për vizitën e Ambasadores, e para e këtij niveli në Kosovë, posaçërisht duke e pasur parasysh se Izraeli ka një sistem shëndetësor tejet të zhvilluar prej të cilit mund të mësohet shumë”, thuhet në komunikatë.

“Me këtë rast, ministri Latifi përmendi shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë së Kosovës, duke potencuar se shëndetësia është prioritet për Qeverinë e Kosovës”, u tha në komunikatë.

Tutje, ministria e Shëndetësisë tha se Latifi e vuri në pah edhe nevojën për krijimin e Qendrave të Ekselencës dhe në këtë pikë edhe Qendrën e Traumës e cila është shumë e domosdoshme për sistemin shëndetësor të Kosovës. Bashkëpunimi në këtë pikë, vlerësoi ai, është shumë i dobishëm pasi që Izraeli këtë Qendër e ka më të avancuarën në botë.

“Në vazhdim, Ministri Latifi dhe Ambasadorja Ziv u pajtuan se një nga fushat e tjera potenciale të bashkëpunimit është edhe rreth digjitalizimit të sistemit shëndetësor kosovar”, u tha në komunikatë.

Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e trajnimit të stafit shëndetësor kosovar nga ekspertët shëndetësor të Izraelit, në ato profile ku mungon ekspertiza brenda sistemit tonë.

Ndërkaq, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv, tha se  shteti i saj është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe avancimit të fushave specifike, dhe për këtë qëllim ajo njoftoi se tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e vizitës së Ministrit Latifi në Izrael gjatë këtij viti.

(Kosova Sot Online)