Osmani thotë se do të angazhohet që të mos ketë probleme me ujë të pijes

  • A.P /
  • 06 April 2022 - 21:52
Osmani thotë se do të angazhohet që të mos ketë probleme me ujë të pijes

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nisur sot ciklin e vizitave nëpër komuna. Ndalesën e parë Osmani e bëri në Gjilan, ku aty u prit nga kryetari Alban Hyseni, e të cilin tha se “do ta mbajë për fjale” për atë se a do ta bëjë Gjilanin komunën më të pastër në Kosovë. Ndërkohë që tha se do të angazhohet të zgjidhë çështjen e ujit të pijes për Gjilanin.

Në një konferencë për media, e para e vendit u shpreh e inkurajuar nga projektet të cilat janë paraparë nga Komuna e Gjilanit, derisa ftoi edhe kryetarët e komunave tjera që të marrin pjesë në një “garë” për qytetin më të pastër.

“Kryetari i Komunës ka filluar një sërë projektesh në bashkëpunim me institucionet e tjera. Janë jashtëzakonisht inkurajuese sepse do ta shndërrojnë Gjilanin në një qendër të zhvillimit për shumë sektorë. Folëm edhe për arkeologjinë, edhe për bujqësinë dhe mundësitë e mëdha për zhvillimin e agroturizmit, për planet për zonë ekonomike, shndërrimin e Gjilanit në një komunë të gjelbër dhe kryetari i komunës premtoi që do ta shndërroj Gjilanin në qytetin më të pastër në Kosovë, ne do ta mbajmë për fjale dhe natyrisht, inkurajojmë edhe kryetarët e tjerë të komunave që të marrin pjesë në këtë garë”, u shpreh ajo.

Derisa ka bërë të ditur temat për të cilat kanë biseduar me kryetarin e Gjilanit, Osmani premtoi se do të angazhohet të zgjidhë çështjen e ujit të pijes në këtë komunë.

“Diskutuam edhe për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet kjo komunë, natyrisht, unë meqenëse e kaloj një pjesë të rëndësishme të vitit këtu në Komunën e Gjilanit, i shoh dhe i preku këto probleme. Natyrisht, njëra nga to është çështja e ujit të pijes, do të bashkëpunoj me kryetarin e Komunës, në mënyrë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, do të bashkëpunoj me organizata ndërkombëtare dhe me shtetet e tjera të shohim se nga cilat shtete mund të marrim edhe ndihmë të drejtpërdrejtë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt, dhe natyrisht edhe me të gjitha institucionet tjera”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)