​Mehaj: Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO

  • G.G /
  • 08 April 2022 - 13:05
​Mehaj: Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO

Me ceremoni është bërë transferimi i autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, ku gjeneral brigade Jörg Rüter i ka dorëzuar detyrat eprorit të ardhshëm të NALT-it, gjeneralit Joachim Hoppe.

Ata kanë vlerësuar lartë profesionalizmin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë zotuar për bashkëpunim të mëtejmë. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ndërsa ekipit këshillues të NATO-s Mehaj u ka thënë se kanë krijuar një vend të veçantë në shtetin e Kosovës duke theksuar se ky shtet është edhe shtëpia e tyre.

“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s përkrahja përmes NATO-s dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës ka rëndësi të veçantë edhe sot. Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO sepse i ndajmë vlerat e njëjta, mendimet e njëjta demokratike. Prioriteti ynë është të ngrisim kapacitetet operacionale sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Mehaj.

E në emër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ka folur Ariella Viehe, shefe e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s.

Ajo ka thënë se ekipi shumëkombësh i NALT-it përfaqëson më mirën e asaj se çka ofron aleanca.

“NATO mbetet e përkushtuar për një Kosovë të sigurt dhe paqësore, faleminderit që na keni mundësuar ta bëjmë këtë ditë të mundshme dhe për gjithë punën që e bëni në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ekipi do të vazhdojë procesin e këshilldhënies në rastet kur Kosova vlerëson që është e nevojshme mbështetja e NATO-s.

Drejtori i deritanishëm i NALT-it, gjeneral brigade Jörg Rüter i cili për 12 muaj e ka udhëhequr këtë ekip, ka thënë se ka mbetur i impresionuar nga profesionalizmi i pjesëtarëve të Forcës.

“Gjeneral Jashari faleminderit juve dhe FSK-së për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Gjate vizitave te mija në FSK jam impresionuar nga profesionalizmi dhe entuziazmi i pjesëtarëve të FSK-së. Kemi punuar për një FSK profesionale që përfaqëson të gjitha komunitetet dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Për shërbimin e tij të shkëlqyer në Kosovë atij i janë ndarë edhe mirënjohje nga ministri dhe komandanti i FSK-së.

Ndërsa pasardhësi i tij, gjenerali Joachim Hoppe ka dashur të jetë fjalë pak në ceremoninë e marrjes së detyrave. Ai ka thënë se fokusi kryesor duhet të jetë të drejtori i cili po largohet që sipas tij ka bërë punë të madhe.

“Synimi ynë mbetet i pandryshuar, të këshillojmë dhe motivojmë zhvillimin sa më të mirë të organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të promovojmë zhvillimin e institucioneve të sigurisë brenda mandatit të dhënë”, ka thënë ai.

Ekipi i NALT-it brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka mision këshillues dhe ndërlidhës dhe numëron 40 pjesëtarë nga 16 shtete partnere.

Ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të ekipit këshillues ndër të tjera është shoqëruar edhe nga orkestra e FSK-së me interpretimin e Bareshës shqipe dhe himnin e NATO-s.

(Kosova Sot Online)