Fëmija që u shkel me veturë nga ministrja Hajdari u trajtua në Emergjencë, flet doktori

  • G.G /
  • 11 April 2022 - 12:30
Fëmija që u shkel me veturë nga ministrja Hajdari u trajtua në Emergjencë, flet doktori

Fëmija që u shkelë me veturë dje në lagjen “Arbëria” të Prishtinës nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është trajtuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së. Por, pas trajtimit që ka marrë nga stafi shëndetësorë, fëmija është liruar në shtëpi.

Gazeta Express ka kontaktuar Drejtorin e Klinikës së Emergjencës doktor Naser Syla, për të mësuar rreth gjendjes shëndetësore të fëmijës, por i njëjti nuk ka dhënë detaje.

Krejt çka ka konfirmuar Syla është se fëmija pas trajtimit mjekësor është liruar në shtëpi.

“U trajtu në Emergjencë dhe ka shku te shpija”, tha Syla shkurtë.

I pyetur se çfarë lëndime trupore ka pësuar fëmija, ai tha: “ E ka kry trajtimin në Emergjencë dhe u shku te shpija”.

Tutje, ai kërkoi që të mos telefonohet nga gazetarët në ditë pushimi.

Aksidentin në fjalë e ka konfirmuar edhe policia në raportin e saj 24-orësh.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.

Kur aksidenti u raportua në media, pas një kohe ministrja Hajdari doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.

Deklarata e Hajdarit nuk është mirëpritur në publik.

Sidoqoftë, ajo ka thënë se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.

(Kosova Sot Online)