Blinken: Sot shënjestruam ata që merren me korrupsion dhe që destabilizojnë Ballkanin

  • A.P /
  • 11 April 2022 - 20:13
Blinken: Sot shënjestruam ata që merren me korrupsion dhe që destabilizojnë Ballkanin

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se SHBA-të dhe partnerët e saj do të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit të Ballkanit. Reagimi i tij vjen pas vendimit të Departamentit të Thesarit të SHBA për të sanksionuar 7 individë nga vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin nga Shqipëria.

“Sot, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit ndërmorën veprime për të shënjestruar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive. SHBA dhe partnerët si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, thotë Blinken në një postim në Twitter.

Departamenti Amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të re të sanksioneve dhe mes emrave është edhe ai i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski. Bashkë me të, nën sanksionet e SHBA-së u fut edhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov. Po ashtu, SHBA-ja e ka sanksionuar edhe ish-presidentin malazez, Svetozar Maroviq, raporton Gazeta Express.

“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

(Kosova Sot Online)