Instituti zviceran: Në objektet që u gjetën afër Astrit Deharit është vetëm profili i ADN’së së tij

  • G.G /
  • 12 April 2022 - 12:48
Instituti zviceran: Në objektet që u gjetën afër Astrit Deharit është vetëm profili i ADN’së së tij

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e afërta të vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij. Bëhet fjalë për një brisk rroje, një stilolaps të lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali. Ky Instituti, sipas njoftimit të prokurorisë, nuk ka rekomanduar zhvarrosjen e trupit të Deharit për ri-ekzaminim, pasi sipas tyre ka kaluar kohë nga ngjarja.

Po ashtu në raportin e Institutit zviceran bëhet e ditur se nga analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit është treguar prani e kafeinës dhe mos prani e etanolit.

E raporti është bërë publik sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ata kanë njoftuar se ky raport është pranuar në gjuhën frënge e më pas është përkthyer në gjuhën shqipe.

Ky raport sot do t’u dërgohet avokatit dhe familjes së Astrit Deharit.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 12 prill 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, njofton opinionin publik se më datë 01.04.2022, ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe.

Po ashtu, ju bëjmë me dije se gjatë ditës raporti i ekspertizës në gjuhë frënge dhe gjuhë shqipe do t’iu dorëzohet familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor të familjes.

Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

–          Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.

–          Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.

Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

(Kosova Sot Online)