Hoti kritikon vendimin e Qeverisë për 100 euro ndihmë: Reflekton varfërinë e politikave fiskale

  • E.K /
  • 12 April 2022 - 13:37
Hoti kritikon vendimin e Qeverisë për 100 euro ndihmë: Reflekton varfërinë e politikave fiskale

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik dhe privat.

Ai tha se kjo ndihmë nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve dhe se nuk i përfshinë mijëra të papunë dhe qytetarët që merren me bujqësi.

“Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, ka shkruar Hoti.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së ka thënë se duhet zbatuar “masat afatgjate”, të cilat i kanë propozuar ata kur filloi të shfaqet kriza.

“Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë; Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike; Duhet të rriten subvencionet në bujqësi; Duhet të rritet paga minimale; Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”.

(Kosova Sot Online)