Përfaqësuesi i Lartë anulon vendimin e Republikës Srpska për pronat shtetërore

  • A.P /
  • 12 April 2022 - 20:18
Përfaqësuesi i Lartë anulon vendimin e Republikës Srpska për pronat shtetërore

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka anuluar një përpjekje të autoriteteve të entitetit të Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore.

Të martën, më 12 prill, Schmidt pezulloi dekretin e presidentes së Republikës Sërpska, Zheljka Cvijanoviq, për shpalljen e Ligjit për pronat e paluajtshme që përdoren për funksionimin e autoriteteve publike. Schmidt tha se ky vendim do të vlejë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Me këtë vendim, Përfaqësuesi i Lartë ka shfuqizuar Ligjin për pronat e paluajtshme në Republikën Sërpska, duke përdorur për herë të parë fuqitë e Bonit. Këto fuqi parashohin që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë mund të paraqesë ose ndryshojë ligje, të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar politikë, si dhe zyrtarë të tjerë.

“Vetëm shteti i Bosnjë e Hercegovinës mund të ketë në pronësi pronën shtetërore”, tha Schmidt gjatë një konference për media.

Kushdo që nuk respekton vendimin e Përfaqësuesit të Lartë mund të dënohet, pasi një gjë e tillë konsiderohet krim.

(Kosova Sot Online)