Drejtori i AKI-së thirret në mbledhje urgjente për çështjen e Dick Martyt, Musliu: Unë u informova

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 10:54
Drejtori i AKI-së thirret në mbledhje urgjente për çështjen e Dick Martyt, Musliu: Unë u informova

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka njoftuar se e ka thirrur në një mbledhje urgjente kreun e institucionit më të lartë të sigurisë në vend, Petrit Ajetin.

Musliu tha para gazetarëve se mbledhjen e paraparë të mbahet në orën 09:00, e ka bojkotuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Edhe me bojkotin, unë shfrytëzova rastin të informohem nga drejtori i AKI-së”, tha Musliu, duke treguar se planet e Serbisë për vrasjen e ish-raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty ishin çështja e cila u diskutua.

Kosova duhet të bashkëpunoje me Bashkimin Europian lidhur me këtë rast, tha Musliu, e cila beson se Marty mund të ketë qenë i “nxitur” apo i “detyruar” që t’i hetojë “pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve”.

Musliu tha se institucionet duhet të informohet se cilat shërbime sekrete i kanë dhënë Martyt dëshmi dhe prova, që bënë që më pas të ngritet Gjykata Speciale.

“Vetë fakti që nuk kemi asnjë prononcim apo deklaratë zyrtare, qoftë nga mbledhja e AKI-së është për t’u frikësuar dhe për t’u shqetësuar se institucionet e vendit nuk janë në krye të detyrës”, tha Musliu.

Në bazë të kompetencave, Musliu tha se i lejohet të thërrasë këso mbledhjesh.

(Kosova Sot Online)