Qeveria miraton Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 11:24
Qeveria miraton Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e propozuar nga ministria e Financave që ka të bëjë me plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto apo 264 euro bruto.

Ministri Hekuran Murati tha në mbledhjen e qeverisë se miratmi i projektligjit në qeveri dhe më pastaj në Kuvend do t’i hapë rrugë sjelljes përsëri në qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto.

“Miratimi i këtij projektligji në qeveri e Kuvend i hap rrugë sjelljes në qeveri të vendimit për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 264 euro bruto apo 1.5 euro për orë. Ju ftoj që ta mbështesni këtë vendim dhe t’i hapet rrugë miratimit të pagës minimale”, tha ai.

Projektligji u miratua me shumicë votash nga kabineti qeveritar.

Ministri i Financave Hekuran Murati ka shpjeguar rregullimet që synohen me anë të këtij projektligji që sipas tij ka për synim të eliminojë pasiguritë juridike rreth pagës minimale në nivel kombëtar.

“Projektligji në fjalë ka për qëllim të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat edhe ndërlidhin shumën e benificioneve apo kompenzimeve me pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallët tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën pra të vendosjes së pagës minimale. Paga minimale është instrument i tregut të punës edhe duhet t’i shërbejë vetëm këtij funksioni. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për rritjen e pagës së punëtorëve me pagë të ulët deri në një nivel adekuat si shumë minimale e shpërblimit që një punëdhënësi i kërkohet të paguajë një punëtor për orë pune. Prandaj përmes këtij ligji synohet që të eliminohen mëdyshjet apo pasiguritë juridike rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht lidhshmërinë e pagës me nivelin e benificioneve sociale”, tha ministri Murati.

Tutje Murati u shpreh se ky projektligj do të rregullojë edhe shkallën tatimore të pagës minimale për personat që marrin rreth 250 euro në muaj.

“Më tutje ky projektligj rregullon edhe shkallën tatimore për pagën minimale ashtu siç edhe e kemi premtuar dhe që e kemi në programin qeverisës ku tatimi në të ardhurat personale vjetore deri në 3 mijë euro apo rreth 250 euro në muaj do të jenë 0 % apo nuk do të tatimohen. Së fundmi ky projektligj rregullon edhe mënyrën dhe procedurën nga ana e ministrit atëherë kur partnerët socialë pra nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje me njëri tjetrin në Këshillin Social siç e kemi rastin aktual”, tha ai.

(Kosova Sot Online)