U kritikua se ndau lëmoshë për qytetarët, Kurti: Ia bëmë si Franca e Gjermania

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 11:53
U kritikua se ndau lëmoshë për qytetarët, Kurti: Ia bëmë si Franca e Gjermania

Kryeministri Albin Kurti e ka krahasuar Kosovën me Francën, pasi mori vendim për ndarjen e 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët në sektorin publik dhe atë privat.

Sipas Kurtit edhe Franca në vitin e kaluar kishte ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe privat  dhe pensionistët.

Ai përmendi edhe Gjermaninë që u ndau nga 300 euro shtesë të gjithë punëtorëve si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të energjisë.

“Ne mund të jemi Qeveria e parë e Republikës së Kosovës, që po bën një rishpërndarje të tillë të parave te qytetarët kur ata kanë nevojë. Ndoshta edhe mund të jemi prej vendeve të rralla që po veprojnë kështu. Por, gjithsesi nuk jemi të vetmit, që po zbatojmë masa si këto. Në tetorin e vitit të kaluar, Franca kishte ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe për pensionistët si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit. Kurse muajin e kaluar Gjermania ka vendosur që ndër të tjera të ndajë 300 euro shtesë të njëhershme për të gjithë punëtorët, si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të energjisë”, ka thënë Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë.

E për ndarjen e këtyre mjeteve, Kurti tha se për dallim nga Gjermania e Franca, në Kosovë është etika tatimore e qytetarëve që ka ndikuar në ndarjen e këtyre mjeteve.

“Nëse në rastin e Francës dhe Gjermanisë është pasuria e kombeve dhe fuqia ekonomike e tyre, që mundëson këso masa mbështetëse, në rastin tonë janë besimi në institucione dhe etika tatimore e qytetarëve, që po e bën të mundur këtë mbështetje. Vitin e kaluar të hyrat buxhetore u rritën për 1/3. Këtë tremujor, të hyrat përveçse janë më të larta se sa vitin e kaluar – afër 17%, edhe një herë janë më të larta se sa parashikimet e vet institucioneve. Këto janë para të qytetarëve, të cilat ne po ua kthejmë qytetarëve kur ata kanë nevojë, sepse ata kanë nevojë. Prandaj është tejet e rëndësishme, që të përsërisim thirrjen që të blejmë sa më shumë produkte vendore dhe të kërkojmë kuponët fiskalë për produktet dhe shërbimet e paguara”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)