Profesori kroat thotë më mirë të mos flasim për luftë në Ballkan: Nëse flasim, ajo ndodh

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 12:12
Profesori kroat thotë më mirë të mos flasim për luftë në Ballkan: Nëse flasim, ajo ndodh

Politologu dhe analisti kroat Dejan Joviq komentoi temat aktuale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, mundësinë e ndonjë lufte të re në Ballkan, zgjedhjet në Serbi dhe se çfarë do të thoshte për Europën fitorja e Le Pen.

Duke analizuar afeksionin e madh të serbëve ndaj Rusisë, Joviq theksoi se duhet të merren parasysh dy faktorë afatgjatë.

“E para është Kosova. Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila nuk ndodhi në vitin 1999”, tha Joviq, duke shtuar se “kjo situatë e Kosovës e ka sjellë Putinin në pushtet dhe siç e shohim Putini vazhdimisht po e përdor atë”.

Ndërsa foli për ndikimin e Rusisë në Ballkan, ai tha se në Serbi ekziston një narrativë afatgjate nacionaliste që është krijuar që nga viti 2006 që e krijon një identitet të ri kombëtar bazuar në mite dhe elemente mistike. “Është mjaft afër identitetit të ri rus”.

Më pas ai foli për mundësinë e një lufte të re në Ballkan dhe veçanërisht në Bosnjë.

“Është e dëmshme politikisht të flitet për luftëra në Ballkan sepse krijon frikë tek njerëzit dhe nuk është realiste. Nuk duhet të bëjmë panik sepse krijon parakushtet që të ndodhë lufta. Nëse themi se do të ndodhë, krijohen frika që të çojë në mobilizim për mbrojtje. Nëse filloni të përgatiteni për luftë, atëherë pala tjetër e sheh se po armatoseni dhe po flisni për luftë, kështu që e bën të njëjtën edhe vetë. Është veçanërisht e rrezikshme në Bosnjë”, tha Joviq në televizionin N1.

Ai rithekson se mundësia e një lufte të re në Ballkan nuk është realiste dhe se ajo do të ishte e mundur vetëm në një skenar, përcjell Gazeta Express.

“Nëse Perëndimi do të rrëzohej tani, do të kishte anarki dhe kaos në të cilin gjithçka është e mundur”. Por profesori në Fakultetin e Shkencave Politike nuk sheh që Perëndimi mund të rrëzohet.

“Unë mendoj se Ballkani Perëndimor është në të vërtetë më afër Bashkimit Europian tani sesa që ishte para kësaj lufte”, tha ai.

Në Ukrainë , Joviq tha se “asnjëra palë nuk po fiton aktualisht”. Për fat të keq, ai tha se “do të ketë luftë të gjatë”.

Joviq foli edhe për zgjedhjet e fundit në Serbi.

“Mendoj se Vuçiq do të përpiqet ta mbajë pozicionin e neutralitetit ushtarak. Ai është nën presion të madh nga të dyja palët. Nuk është popullore të ulesh në dy karrige, sidomos në dy karrige të tilla të nxehta që janë në luftë me njëra-tjetrën”, thotë ai.

Çfarë do të thotë fitorja e Le Pen për Evropën? Ai iu përgjigj edhe kësaj pyetjeje.

“Do të ishte një goditje e madhe, veçanërisht në një situatë ku Gjermania ka një qeveri që nuk është e bashkuar për çështjet e politikës së jashtme”.

“Do të ishte një Europë që do të ishte shumë më tepër një projekt gjeostrategjik, domethënë disa lidhje të përbashkëta për sigurinë dhe ekonominë, por për sa i përket vlerave sociale, demokratizimit të shoqërisë apo promovimit të identitetit europian, ajo do të humbiste”, përfundoi Joviq.

(Kosova Sot Online)