Takimi i Ramës e Muratit, Komuna thotë se s’ka kërkuar para nga Ministria

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 10:49
Takimi i Ramës e Muratit, Komuna thotë se s’ka kërkuar para nga Ministria

Para një jave, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u takua me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin. Por, cila ishte arsyeja e takimit dhe a i kërkoi Rama para Muratit për projektet e komunës?

Nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se në këtë takim s’është diskutuar fare për mbështjetje financiare nga ana e Ministrisë.

Arlinda Kastrati, Asistente për Komunikim në Komunën e Prishtinës i ka thënë Gazetës Express se gjatë takimit është diskutuar kryesisht për procese që përfshijnë fondet ekzistuese të komunës dhe nënshkrimin e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Në këtë pikë, nuk është diskutuar për mbështetje financiare nga ana e Ministrisë. Është diskutuar kryesisht për procese që përfshijnë fondet ekzistuese të Komunës dhe nënshkrimin e kredisë me BERZh”, thuhet në përgjigjen e Kastratit.

Për këtë takim kishte njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Sipas njoftimit të Ministrisë, Rama dhe Murati kanë diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal.

“Gjatë takimit, Ministri Murati dhe Kryetari Rama diskutuan lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal. Ministri Murati e informoi Kryetarin Rama mbi marrëveshjen ndërkombëtare që pritet të nënshkruhet në mes të MFPT-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike komunale, ku njëra nga komunat përfituese do të jetë edhe Prishtina.

Në këtë linjë, z. Rama u njoftua për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndërmirren nga komuna, kurse në anën tjetër z. Rama e mirëpriti marrëveshjen dhe u zotua që do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për implementimin e saj.  Përgjatë takimit, gjithashtu, u diskutuan edhe tema të tjera si menaxhimi i financave publike dhe raporti në mes të nivelit lokal dhe MFPT-së”, thuhej në njoftimin e Ministrisë

(Kosova Sot Online)