Kryqëzori rus në flakë, Moska e quan incident, Ukraina pretendon se e ka sulmuar

  • G.G /
  • 14 April 2022 - 12:09
Kryqëzori rus në flakë, Moska e quan incident, Ukraina pretendon se e ka sulmuar

Sulm apo incident në bord? Paralelisht me luftën në terren, Moska dhe Kyivi vijojnë edhe luftën e propagandës, këtë herë për shpërthimin e ndodhur në anijen kryesore të flotës ruse në Detin e Zi. Sipas Departamentit të Mbrojtjes në Rusi, kryqëzori “Moskva” nga ku prej javësh janë lëshuar sulme me raketa në drejtim të Ukrainës, është evakuuar pas një incidenti në bord.

“Anija është dëmtuar rëndë për shkak të shpërthimit të municioneve që transportonte, pas një zjarri që ra në bord”. Është ky versioni zyrtar i bërë publik nga mediat shtetërore në Rusi. Interfax që citon Ministrinë e Mbrojtjes tha se Moskva kishte 16 raketa “Vulkan” të cilat kanë një rreze veprimi prej të paktën 700 km.

Krejt i ndryshëm versioni zyrtar i Kyivit. Sipas ukrainasve, kryqëzori “Moskva” është goditur nga forcat ukrainase në Detin e Zi me raketa Neptun. Këtë e tha fillimisht për mediat guvernatori i Odesës, Maksym Marchenko. I njëjti version u konfirmua më vonë nga agjencia e lajmeve në  Ukrainë, Unian, e cila specifikoi se raketat dëmtuan rëndë anijen e flotës ruse me rreth 500 persona në bord.

Po ashtu, këshilltari i presidentit Zelensky, Oleksiv Arestovych, tha në YouTube se një surprizë kishte ndodhur me flotën ruse në Detin e Zi. Megjithatë, pretendimet nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. 

(Kosova Sot Online)