Haradinaj: Policinë e ka sulmuar krimi i organizuar

  • G.G /
  • 15 April 2022 - 12:09
Haradinaj: Policinë e ka sulmuar krimi i organizuar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se krimi i organizuar që operon në Kosovë e ka sulmuar sot policinë e Kosovës në veri të vendit.

Haradinaj ka thënë poashtu se aktet kriminale siç ishte kjo e sotmja ndaj policisë së Kosovës janë alarm për të gjithë.

“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar ai.

Drejtori i Policisë Samedin Mehmeti në konferencën e sotme për media bashkë me ministrin Xhelal Sveçla njoftoi se sulmi ndaj policisë së Kosovës në veri është realizuar me granatë dore dhe AK-47.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/534092418082111

(Kosova Sot Online)