Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, Latifi ‘thumbon’ Edi Ramën

  • E.K /
  • 15 April 2022 - 12:38
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, Latifi ‘thumbon’ Edi Ramën

Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Kosovës sot njoftuan për katër sulme brenda tri ditëve ndaj policëve në veri të vendit. Provat e prezantuara të Policisë së Kosovës shfaqnin përdorimin e granatave dhe armës AK-47, iriqë metalikë të vendosur në rrugën ku do të përshkonte patrulla policore, si dhe pati dyshime që njëri prej sulmeve erdhi edhe nga territori i Serbisë.

Për këtë çështje ka shkruar analisti politik, Blerim Latifi, i cili edhe ironizoi për një deklaratë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili tha se armatosja e Serbisë nuk paraqet shqetësim, meqë këtë po e bën për vetëmbrojtje.

“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s’ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, ka shkruar Latifi.

Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ministri dhe drejtori i Policisë thanë se u krye për shkak të mbylljes së rrugëve ilegale në kufirin me Serbinë, të cilat përdoreshin për kontrabandë dhe vepra penale të tjera. 

(Kosova Sot Online)