Berisha: Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë planifikuar më herët

  • E.K /
  • 15 April 2022 - 14:55
Berisha: Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë planifikuar më herët

Deputeti, njëherit kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ka reaguar lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Berisha thotë se këto sulme janë të planifikuar më herët, e për cka nënvizon se institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës dhe që sulmeve terroriste t’iu përgjigjen me vendosmëri.

“Invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti. Pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndalur nga rezistenca e pashoq e Ukrainasve, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor. Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës. Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si  dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë. Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut”, ka shkruar Berisha.

 Sulmohet Policia e Kosovës në veri me granat dore e kallash

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit.

Përmes një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Sveçla tha se policia është sulmuar me granat dore.

“Sot rreth 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granat dore dhe AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarët. Grupet e ndryshme në 3 ditët e fundit kanë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës”, tha ai

Mehmeti jep detaje për sulmin ndaj Policëve të Kosovës në veri

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë detaje për sulmin ndaj zyrtarëve policor në veri të Kosovës.

Ai tha se fal fleksibilitetit të policëve dhe automjeteve të blinduara s’ka pasur të lënduar.

“Prej datës 13 i kishim katër sulme ndaj Policisë së Kosovës në mënyrë të sinkronizuar. Kjo na bënë me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka qëllim të pengojë Policinë e Kosovës. Në sulmin e parë janë vendosur mbi 40 iriq në formë metalike për të penguar patrollat policore. Në sulmin e dytë policët janë sulmuar me gurë, sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku 30 fishekë ndaj policisë, ndërsa sot janë sulmuar policët me granatë dhe Ak 47”, tha ai në një konferencë për medie.

Sveçla: Qëllimi i Serbisë është ta destabilizojë Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se qëllimi i Serbisë nuk është ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë atë.

Megjithatë, ai tha se nuk i frikësohen çfarëdo lloj skenari të Serbisë.

“Nuk i frikësohemi çfarëdo lloj skenari të Serbisë. Qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por të destabilizojë atë”, tha ai në konferencën e jashtëzakonshme për medie, ku u bën të ditur sulmet ndaj Policisë së Kosovës”, tha ai.

Krahas kësaj, Sveçla tha se janë optimist se marrëveshja për targa ndërmjet Kosovë dhe Serbisë do të arrihet, por tha se kanë bërë plan operativ edhe për të kundërtën.

Haradinaj: Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës

Pas sulmeve që ndodhën ndaj Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës ka reaguar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj duke thënë se grupi kriminal që sulmoi zyrtarët policorë është alarm për të gjithë.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë të distancohen nga krimi e të bashkohen me luftën e pakompromis.

“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar Haradinaj.

Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri e ku është vërtetuar se ata u gjuajtën me granatë dore dhe kallashnikovë.

(Kosova Sot Online)