Rrëfimi i gazetares ukrainase në Prishtinë: Të afërmit e mi në Rusi nuk më besonin

  • E.K /
  • 18 April 2022 - 13:14
Rrëfimi i gazetares ukrainase në Prishtinë: Të afërmit e mi në Rusi nuk më besonin

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, e cila është strehuar në Prishtinë, thotë se propaganda ruse ka manipuluar edhe të afërmit e saj që i ka në Rusi. Thotë se ata besojnë se ukrainasit e kanë sulmuar “vetveten”

Nga zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në një konferencë për media, ka folur Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina, që erdhi të dielën për strehim në Kosovë.

Duke rrëfyer për gjendjen në vendin e saj, ka treguar një rast me të afërmit e saj në Rusi, për të ilustruar propagandën që po e bën regjimi i Vladimir Putinit atje.

“Paradoksi ishte se kur më kanë thirrur të afërmit e mi që jetojnë në Rusi se si jeni ju, unë kam treguar realitetin, se po ndodhin bombardimet dhe se gjithçka është e tmerrshme. Por, të afërmit e mi në Rusi, të cilit unë i doja dhe kisha gjithmonë kontakt me ta, nuk më besonin mua”, ka thënë ajo.

“Ata më thonin se jeni duke e sulmuar vetveten. Sepse ata e kanë dëgjuar këtë nga televizioni publik”.

“Në Rusi, lufta në Ukrainë quhet ‘operacion special’”, thotë gazetarja.

Makey thotë se Putin sulmon gazetarët dhe e do eliminimin e tyre, sepse ai nuk do që të shpërndahet e vërteta. 

(Kosova Sot Online)