VV pasi s’e përkrahu Komisionin Hetimor, akuzon opozitën se s’votuan për marrëveshjet ndërkombëtare

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 14:36
VV pasi s’e përkrahu Komisionin Hetimor, akuzon opozitën se s’votuan për marrëveshjet ndërkombëtare

Grupi Parlamentar i VV-së, ka mbajtur një konferencë për media ku kanë folur shefja e grupit Mimoza Kusari dhe deputeti Adnan Rrustemi. VV pasi nuk e përkrahu formimin e Komisionit Hetimor parlamentar akuzoi opozitën se nuk qëndruan në sallë për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Sot në mungesë të grupeve parlamentare të opozitës si rrjedhojë të largimit të tyre nga salla, mbeten pa u votuar 4 marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 100 milionë euro”, tha Kusari Lila para gazetarëve.

Shefja e GP të VV-së tha se ishte përpjekje e kundërligjshme e opozitës për të formuar Komisionin Hetimor.

“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme për të formuar një Komision Parlamentar. Sot ishte përpjekja e dytë e opozitës të cilët në kundërshti me rregullat tentuan të vendosin para aktit të kryer seancën e Kuvendit.Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për sektorin e energjisë megjithatë ne nuk mundemi tua bëjmë numrat opozitës jo kur tentojnë t’i shkelin rregullat”, tha Kusari.

Tutje ajo tha se partitë opozitare kanë kurthuar veten kur kanë nënshkruar për formimin e Komisionit.

“Ne mbështesin hetimin parlamentar që e kemi shfrytëzuar sa ishim në opozitë por jo që përmes akteve të tyre. Ajo cka po shohim sot është se ne po akuzohemi ende pa filluar një proces i tillë, sot ishte evidente se pas mbledhjes së nënshkrimeve nga partitë opozitare kishin kurthuar veten e cila nuk lejonte hapësirë të lejonte zgjedhjen e një kryesuesi të Komisionit. Ne nuk mund të ju dalim në ndihmë përderisa ata bëjnë shkelje”, tha Kusari Lila.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi tha se i ftojnë opozitën që të reflektojnë për të diskutuar mbi ndryshimin e Ligjit për Hetimin Parlamentar.

“PDK, LDK, AAK janë futur vet në bllokadë procedurale, nuk mund të na kërkohet të mbështesim diçka që është kundër ligjit. Ne ftojmë që ata të reflektojnë nëse reflektojnë ne mund të diskutojmë për ndryshimin e ligjit për Hetimin Parlamentar.Edhe abuzues edhe demokraci nuk shkojnë bashkë”, ka thënë Rrustemi.

Opozita ka lëshuar sot sallën e Kuvendit, pasi partia në pushtet nuk e përkrahu propozimin për futjen në rend dite të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë.

(Kosova Sot Online)