
Kusari i “aplaudon” Konjufcës që ia mbajti anën opozitës në seancë

Kërkesa e opozitës sot në Kuvendin e Kosovës për të themeluar Komisionin Hetimor që bën hetimin punës së institucioneve i ngjau më atë që e kishte bërë vetë disa vite më herët kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Për këtë, nënkryetari i Vetëvendosjes i përkrahu qëndrimet e opozitarëve dhe nuk hezitoi t’i thotë edhe nga foltorja e kryetarit të Kuvendit.
“Unë dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës. Dua me i dhënë të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë e kam thënë që është gabim. Për me qenë në konsistencë me këtë interpretim që e kam pasur atëherë, mendoj se duhet të hapim fazën e propozimit të emrave për këtë komision parlamentar. Pastaj, mazhoranca me votë e determinon nëse do ta votojë apo jo këtë komision”, tha Konjufca në seancën e sotme ku s’u votua Komisioni Hetimor, arsye për të cilën opozita lëshoi sallën.
Por, për këtë e ka mbështetur edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Mimoza Kusari-Lila, e cila e konsideroi edhe si “të përkushtuar”.
“Kryetari Konjufca është përgjegjës për udhëheqjen e seancës dhe gjithmonë e bën këtë me një përkushtim të paparë më herët në Kuvendin e Kosovës për të funksionuar demokracia dhe për t’i trajtuar krejt barabartë, përkundër faktit se forca politike nënkuptohet në opozitë është më e vogël sesa e opozitës. Dhe natyrisht që kjo qasje është për t’u përshëndetur dhe është tërësisht në kompetencë të tij të marrë qëndrimin dhe të deklarojë atë siç ka bërë sot në seancë”, tha Kusari-Lila kur u pyet në konferencën për media.
(Kosova Sot Online)