Osmani për dekretimin e kryeprokurorit: S’mund ta bëjë shkel e shko, do të kërkojë dokumente shtesë

  • A.P /
  • 19 April 2022 - 22:54
Osmani për dekretimin e kryeprokurorit: S’mund ta bëjë shkel e shko, do të kërkojë dokumente shtesë

Presidentja Vjosa Osmani, thotë se do të studiohet çdo detaj, para se të marrë vendimin për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

Osmani tha se do të kërkojë edhe dokumente shtesë lidhur me këtë çështje pasi siç tha, nuk është vendim që merret “shkel e shko”.

“Ka disa ditë që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dërguar propozimin e vetë në tavolinën time. Natyrisht pasi është një prej proceseve më të rëndësishme, sa i përket sistemit të drejtësisë në vend, është një dokumentacion që duhet të studiohet thellësisht. Prandaj, si presidente e vendit, dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të cilat janë të qarta, këtë propozim jam duke e shqyrtuar”, thotë Osmani.

“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë, ashtu siç kam paralajmëruar do t’i dëgjojë të gjitha palët përfshirë shoqërinë civile e cila ka qenë e angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe partnerët e tjerë, përfshirë partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë siç e dini kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre sa i përket procesit”, shtoi ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Natyrisht se të gjitha këto do të merren parasysh dhe në fund do të marrë vendim përfundimtar pasi t’i trajtojmë të gjitha këto në hollësi, sepse nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë në vend, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, tha Osmani.

Më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.


(Kosova Sot Online)