Rusët bombardime të pandalshme, mbrojtësit e Mariupolit: Qyteti mund të shpëtohet

  • A.P /
  • 20 April 2022 - 20:44
Rusët bombardime të pandalshme, mbrojtësit e Mariupolit: Qyteti mund të shpëtohet

Afati i ultimatumit skadoi dhe “mbrojtësit e Mariupolit” nuk janë dorëzuar. Forcat ruse vijuan me bombardime konstante në qytetin port, dhe duket se kanë vendosur të rrafshojnë xhepin e fundit të rezistencës, në fabrikën e hekurit dhe çelikut, Azovstal. Komandanti I brigadës 36 të marinës së Ukrainës kërkoi që një vend i tretë të jetë garantor për evakuimin e ushtarëve dhe civilëve të rrethuar.

“Ne nuk u besojmë rusëve dhe kemi nevojë për garanci. Mariupoli mund të shpëtohet ende”, u shpreh majori Serhiy Volyna i batalionit Azov.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sinjalizuan se një vend I NATO-s mund të përfshihet në evakuimin e civilëve dhe ushtarëve të plagosur nga Mariupoli. Në parim, Moska dhe Kievi u dakordësuan për një korridor humanitar. Qindra civilë, gra, fëmijë dhe të moshuar u zhvendosën nga Mariupoli i rrënuar për në Zaporizhzhia. Megjithatë ende rreth 130 mijë qytetarë janë të bllokuar në qytetin e rrethuar ku prej 50 ditësh vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve. Presidenti Volodymyr Zelenski e përshkroi situatën në Mariupol si tejet të vështirë dhe tha se nëse Ukraina do të kishte qasje më të mirë ndaj armëve do t’i kishte dhënë fund luftës, shkruan a2news.

 Situata në Mariupol mbetet tejet e vështirë, pa asnjë ndryshim. Trupat ruse bllokojnë përpjekjet për korridori humanitare për të shpëtuar njerëzit tanë, dhe përpiqen t’i deportojnë apo edhe t’i mobilizojnë ata me forcat pushtuese. Fati i dhjetëra mijëra banorëve është i panjohur.

Ushtria ruse do të organizojë në Mariupol një paradë të madhe më 9 maj, ditë që përkon me përvjetorin e fitores së Moskës kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Këtë e njofton zëvendës kryebashkiakja e emëruar nga rusët, e cila tha se parada e fitores do të organizohet nga “Regjimenti I pavdekshëm”.

(Kosova Sot Online)