Osmani i kërkon mbështetjen Letonisë për anëtarësim në NATO

  • G.G /
  • 22 April 2022 - 12:36
Osmani i kërkon mbështetjen Letonisë për anëtarësim në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me presidentit letonez Eglis Levits, ka thënë se ia ka shprehur vullnetin e Kosovës për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes, por edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, digjitalizimit dhe fusha të tjera të dobishme për dy vendet tona.

Osmani tha se Levits është presidenti i parë nga Letonia që viziton Kosovën, për të cilin pati edhe një kërkesë për të ndihmuar Kosovën.

“Duke qenë se Letonia është një zë kyç në NATO dhe BE, kam kërkuar mbështetjen e presidentit në rrugëtimin e tonë drejt integrimit euroatlantik. Këto aleanca  duhet t’i kenë gjithnjë dyert e hapura për shtetet si Kosova, duke treguar përkushtimin dhe plotësimin e kritereve për të qenë pjesë e saj”, tha Osmani në konferencë.

Presidentja kosovare foli edhe për kërcënimin e paqes në Europë nga agresioni rus i nisur në Ukrainë. Në këtë drejtim ajo tha se Kosova ka halle të ngjashme si Letonia meqë janë fqinj me shtete që kanë tendenca hegjemoniste.

“Si dy vende mike dhe partnerë të palëkundur dy vendet tona do të vazhdojnë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në kontinentin tonë. Si dy vende paqedashëse ne ballafaqohemi me sfida të ngjashme, por fatmirësisht ndajmë edhe të njëjtat synime dhe përkushtim për të ndërtuar një kontinent paqësor”.

“Kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze, si dhe janë urgjenca më reale me të cilat ballafaqohet i gjithë kontinenti europian. Prandaj, vendet si Letonia dhe Kosova, që kanë jetuar me dekada duke u ballafaquar me probleme të mëdha për shkak të fqinjëve tonë, kemi paralajmëruar prej kohësh për pasojat dhe ambiciet e njerëzve si Putini dhe bashkëpunëtorët e tyre në vendet që janë satelitë të Rusisë, e të cilat nuk janë sfiduar për një kohë të gjatë”.

Osmani tha se do të vazhdojë të ngrejë zërin për kërcënimet që vazhdojnë të mbesin reale nga Rusia dhe “satelitët e saj”.

“Jo vetëm që keni një aleat të qëndrueshëm në Kosovë, por keni një mik të vërtetë dhe besnik”,

(Kosova Sot Online)