PDK insiston: Komisioni Parlamentar duhet t’i hetojë lidhjet e Qeverisë me “Kartelin e Rrymës”

  • E.K /
  • 25 April 2022 - 15:31
PDK insiston: Komisioni Parlamentar duhet t’i hetojë lidhjet e Qeverisë me “Kartelin e Rrymës”

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të domosdoshëm formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend. PDK-ja i ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit që ta mbështesin iniciativën, e cila sipas tyre ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve të Kosovës rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga qeveria aktuale, për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimin e saj.

“Krahas hetimit të plotë parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij”, thuhet në reagimin e radhës së PDK-së për këtë çështje.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së.

Partia më e madhe opozitare e cilëson interes kombëtar hetimin parlamentar për këtë çështje. Ky Komision Hetimor Parlamentar, sipas PDK-së do të monitorohet nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile dhe mediat.

(Kosova Sot Online)