Kërkohet dënimi i inspektorit të ATK-së, akuzohet për marrje ryshfeti

  • E /
  • 26 April 2022 - 15:36
Kërkohet dënimi i inspektorit të ATK-së, akuzohet për marrje ryshfeti

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës, prokuroria ka kërkuar dënimin e  Gazmend Jasharit, inspektor tatimor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), i cili po akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tij.

Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën përfundimtare ka thënë se gjatë këtij rigjykimi me administrimin e sërishëm të të gjitha provave dhe dëshmive të propozuara nga prokuroria, është vërtetuar se i akuzuari Jashari ka kryer veprën penale marrje ryshfeti.

Ajo tha se është vërtetuar se i akuzuari më 13 shkurt 2020, ka kërkuar e pranuar ryshfet, dhe atë sipas saj fillimisht ka kërkuar shumën prej 200 euro, e pastaj është pajtuar që t’i marrë 50 euro ryshfet nga i dëmtuari Zymer Elshani. Kjo rrethanë, sipas saj është vërtetuar nga administrimi i sërishëm i provave gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor.

Gjithashtu, sipas saj gjendja faktike është vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarit Zymer Elshani, po ashtu edhe dëshmia e dëshmitarit Fitim Zeqiri, i cili sipas saj në dëshminë e tij ka thënë se atë ditë ka qenë në vendin e ngjarjes dhe e ka zënë të akuzuarin në kryerjen e veprës penale.

Në fund, prokurorja Hamiti tha se qëndron pranë aktakuzës, duke propozuar që i akuzuari Jashari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Jashari, avokati Agron Curri fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim.

Ai ka shtuar se dëshmitarët Elshani dhe Zeqiri në dëshminë e tyre kanë thënë se i akuzuari nuk i ka kërkuar të hollat dhe nuk ka qenë fare prezent, e që sipas tij nga ky deklarim i dëshmitarëve vërtetohet se i akuzuari Jashari nuk ka pasur fare të bëjë me këtë rast.

Tutje, ai ka thënë se kërkesat e Gjykatës së Apelit për të cilat është kthyer lënda në rigjykim janë sqaruar.

Në fund, ai ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin Jashari ta lirojë nga akuza dhe të marrë aktgjykim lirues, duke u mbështetur në pretendimin se provat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërsa, i akuzuari Jashari në fjalën përfundimtare ka thënë se në momentin kritik nuk kishte qenë në lokalin ku pretendohet se ai ka marrë ryshfet.

“Në momentin kritik në lokalin “Fron”, në Fushë Kosovë, unë nuk kam formuluar raport. Raportin e ka formuluar kolegu im Adnan Jupolli. Unë kam shkuar në një lokal tjetër për ta bërë një vizitë, e vizita ime në atë lokal ka zgjatur 25 minuta dhe kur jam kthyer në lokalin “Fron”, kolegu im tanimë e kishte përfunduar raportin. Dhe kishte shkuar në banak për ta nënshkruan këtë formular të Artan Elshani, i cili ka qenë person kontaktues dhe figuronte në raportin e biznesit si punëtor”, tha ai.

Tutje, ai tha se një person kishte shkuar tek tavolina e tij dhe mbi dokumente i kishte hedhur para.

“Papritmas në tavolinë erdhi një person dhe më pyeti se ku shkon tani ky raport, çka bëhet me të, unë i thash se ne e kemi në ATK departamentin për gjoba dhe se ata vendosin, në atë moment m’i ka hedhur paratë mbi dokumentet dhe është nisur për të dalë jashtë. Unë i mora mjete që t’ia ktheja, dhe i thash se pse m’i qite paratë mbi dokumente, ai tha pyete kolegun tënd”, ka shtuar i akuzuari.Dhe në fund Jashari ka mohuar që i ka marrë ryshfet Zymer Elshanit, por sipas tij kjo ka pasur qëllim diskreditimin e personave zyrtarë.

“Deklaroj se personi që i ka hedhur mjete mbi dokumentet, e që më vonë e kam kuptuar se ky person ishte Zymer Elshani, as nuk e njoh, as nuk i kam kërkuar para, gjë të cilën e vërteton edhe dëshmitari Fitim Zeqiri dhe as nuk i kam premtuar asgjë, por qëllimi ka qenë diskreditimi i personave zyrtarë. Kjo ka qenë thjesht marrëveshje, thjesht inskenim në mes Zymer Elshanit dhe Fitim Zeqirit, për diskreditimin e personave zyrtarë”, tha ai në fund të fjalës përfundimtare.

Pas fjalëve përfundimtare, kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar.

Shpallja e aktgjykimit pritet të mbahet më 29 prill 2022.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë i akuzuari Jashari e ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 dhjetor 2020, kishte shpallur aktgjykim dënues, për të akuzuarin Gazmend Jashari për marrje të ryshfetit  dhe të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në vlerë prej 3 mijë 600 euro, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Adnan Jupolli ishte liruar pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, nuk është provuar se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit. Ndërsa, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, respektivisht për pikën dy të aktakuzës, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.

Por, Gjykata e Apelit më 19 mars 2021, e kishte kthyer këtë rast në rigjykim vetëm për të akuzuarin Jashari, ndërsa ka vërtetuar pjesën liruese për të akuzuarin Jupolli.

Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përkitazi me të akuzuarin Gazmend Jashari është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 prill 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Jasharit dhe Adnan Jupollit, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli thuhet se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12:30, në cilësinë e personave zyrtarë- inspektorë tatimorë në Administratën Tatimore të Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare-kontrollit të lokalit “Froni” në Bresje të Fushë Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në bashkëveprim kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, nga pronari i lokalit Zymer Elshani, i cili nuk ka pasur arkë fiskale.

Gjithnjë sipas akuzës, të pandehurit e lartcekur fillimisht i kanë thënë pronarit se mund ta dënojnë deri në 1 mijë euro, mirëpo nëse i njëjti u ofron ryshfet shumën fillimisht prej 200 euro, mund të mos i shqiptojnë gjobën dhe të largohen.

Sipas prokurorisë, Zymer Elshani, pronari i lokalit, u kishte thënë se nuk e ka shumën e parave prej 200 euro, për çka të pandehurit e lartcekur i kishin kërkuar ryshfet prej 50 euro, e më pas Zymer Elshani e raporton rastin tek zyrtari policor Fitim Zeqiri, i cili kishte qenë duke qëndruar tek lokali “Froni”, e më pas të pandehurit e lartcekur kanë pranuar ryshfet shumën e parave- kartëmonedhë në vlerë prej 50 euro, duke u larguar nga lokali me veturën zyrtare të ATK-së.

Prokuroria pretendon se pas kësaj, të pandehurit e lartcekur janë ndaluar nga ana e zyrtarit policor Fitim Zeqiri, i cili ishte njoftuar paraprakisht me rastin nga pronari i lokalit, e që pas arritjes së ekipit policor, në veturën zyrtare të ATK-së ku ndodheshin të pandehurit e lartcekur, kanë gjetur kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, e cila është sekuestruar nga ana e policisë, raporton betimiperdrejtes.

(Kosova Sot Online)