Deputeti i partisë që drejton Gërvalla kërkon shkarkimin e Martin Berishajt

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 14:52
Deputeti i partisë që drejton Gërvalla kërkon shkarkimin e Martin Berishajt

Deputeti nga Partisë “Guxo”, Burim Meta, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që së fundi u raportua se është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni, duhet të lirohet nga detyra deri të vërtetohet pafajësia e tij.

Shkarkimin e ambasadorit Berishaj, për të cilin vendos shefja e diplomacisë së Kosovës. Donika Gërvalla, Meta po e sheh si ruajtje të imazhit të Kosovës në një vend mik siç është Kroacia.

“Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z. Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë. Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolën ambasadorët”, ka shkruar Meta.

Nga ana tjetër, ministrja Gërvalla kishte thënë në RTV Dukagjini se për momentin nuk ka arsye të besojë se pretendimet mbi ambasadorin Martin Berishaj mund të jenë të vërteta. Për këtë rast, ajo tha fjalët e njëjta sikur të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti se Berishaj do ta padisë mediumin që ka raportuar për skandalin, duke shtuar se “brenda një kohe të shkurtër do të bisedoj edhe personalisht me ambasadorin”.

Presidenca bashkë me Minsitrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë se i kanë kërkuar një raport me shkrim ambasadorit Berishaj lidhur me raportimet dhe se në bazë të tij do të bëjnë vlerësimin e duhur.

Meta, përkundër që është deputet i pozitës, më herët kishte kërkuar edhe dorëheqjen e Arben Vitisë nga pozita e ministrit të Shëndetësisë kur kandidoi për kryetar të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)