Zbulohen motivet e Putin për krahasimin e dy rajoneve të Ukrainës me Kosovën

  • A.P /
  • 27 April 2022 - 15:56
Zbulohen motivet e Putin për krahasimin e dy rajoneve të Ukrainës me Kosovën

Vladimir Putin vazhdon ta përmend Kosovën në kontekstin gjeopolitik duke tërhequr paralele mes Pavarësisë së Kosovës dhe dy rajoneve lindore të Ukrainës të cilat i ka pushtuar. Sipas autoritarit Putin, Luhansku dhe Donetsku kanë të drejtë të jenë të pavarura sikur Kosova. Por, profesori Enver Hasani thotë se sipas të Drejtës Ndërkombëtare asnjë ngjashmëri nuk ka mes Kosovës dhe dy rajoneve lindore të Ukrainës. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese i tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka thënë qartë se vullneti i kosovarëve për shtet s’ka qenë kundër asnjë norme të së drejtës ndërkombëtare. Hasani tha se të gjitha entitetet pro-ruse që janë themeluar pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik janë krijuar me ndërhyrje ushtarake të Federatës Ruse që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Hasani poashtu tha se Putini dëshiron të mbetet faktor në Ballkan përmes Serbisë dhe presionit ndaj saj për të mos shkuar kah Perëndimi.

Sipas tij, Rusia s’mund ta kërcënojë ushtarakisht Ballkanin pasi ka probleme si forcë ushtarake dhe kjo dëshmohet së fundi me invazionin në Ukrainë.

Hasani foli edhe për mesazhin që delegacioni amerikan i kryesuar nga Ndihmëssekretarja Donfried ua përcolli liderëve kosovarë se status-quoja e Kosovës i sjell dobi Kremlinit.


(Kosova Sot Online)