I duhen edhe 650 vota, kryeministri Kurti bën thirrje që të votohet Shaip Kamberi

  • E.K /
  • 28 April 2022 - 10:57
I duhen edhe 650 vota, kryeministri Kurti bën thirrje që të votohet Shaip Kamberi

Kryeministri Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të votojnë për Shaip Kamberin pas vendimit për përsëritje të zgjedhjeve në një qendër në Bujanoc.

Kurti ka shkruar se në vendvotimin në të cilin do të përsëriten zgjedhjet janë 1089 vota e që Kamberi të fitojë edhe një mandat si deputet në Parlamentin e Serbisë i duhen 650 vota.

“Një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasët që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.

Shefi i qeverisë kujtoi fjalimin që Kamberi kishte bërë për herë të parë në Kuvendin e Serbisë në gjuhën shqipe.

“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës. “Sot është një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’”, ishin fjalët e para të fjalimit të tij”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)