Pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes?

  • A.P /
  • 28 April 2022 - 20:10
Pse u fjalosën Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu sot në mëngjes?

Përplasje të ashpra dhe me ofendime kanë ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, por edhe ndërmjet kryetarit të Kuvendit dhe ministres së Drejtësisë. Mëngjesi në seancën e sotme, nisi me përplasjen mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Përderisa deputetët opozitarë të PDK-së nisën të godisnin tavolinat në shenjë proteste ndaj Haxhiut, e cila nuk ia lejonte radhën Tahirit për të folur, erdhi ndërhyrja e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Ministre, ministre…”, dëgjohet duke e thirrur Konjufca disa herë ministren Haxhiu, e cila refuzon të ndalet së foluri.

“Me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës?”, pyet Konjufca Haxhiun.

Megjithatë, një reagim i papritur vjen nga Haxhiu ndaj Konjufcës, me të cilin vijnë nga e njëjta parti.

“S’është në rregull me ra në presion të opozitës. Nuk kanë të drejtë, unë e kam fjalën time”, i reagon Haxhiu Konjufcës.

“P’e di, po…”, nis të flas Konjufca, i cili sërish ndërpritet nga Haxhiu.

“Unë e kam fjalën time, kryetar dhe nuk lëvizi pa e kry fjalën”, ndërhyn ajo.

Haxhiu vazhdon të rrijë te foltorja edhe për disa momente, përderisa goditjet e tavolinave vazhdojnë nga deputetët e PDK-së. Pas pak, megjithëse me vështirësi, gjendet një dakordancë mes Haxhiut e Konjufcës për t’ia lënë radhën PDK-së për të folur.

(Kosova Sot Online)