Rusët sulmuan me raketa pallatin në Kiev, çifti i ri tregon si shpëtuan

  • G.G /
  • 29 April 2022 - 13:02
Rusët sulmuan me raketa pallatin në Kiev, çifti i ri tregon si shpëtuan

Katet e poshtme të këtij blloku të ri banesash janë shkatërruar  nga sulmi në qendër të Kievit. I gjithë muri i përparmë është hedhur në erë, ndërsa pjesët e brendshme të banesave janë shkatërruar dhe djegur.

Ekipet mjeko-ligjore po punojnë në vendngjarje, ndërsa vijon pastrimi i grumbujve të rrënojave. Objektivi duket se ka qenë një fabrikë e madhe ushtarake, Artem, përballë rrugës, dritaret janë hedhur në erë dhe punëtorët po fshijnë grumbuj xhami.

Zyrtarët ukrainas konfirmuan një të vdekur dhe disa të plagosur civilë. Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar se gazetarja e tyre, Vera Hirych, është vrarë në shtëpinë e saj. Trupi i saj u zbulua mëngjesin e sotëm.

Reporteri i BBC raporton se ka parë një çift të rinjsh që dilnin nga rrënojat, duke mbajtur disa sende. Olya kishte një skateboard nën njërin krah dhe një kuti kartoni të mbushur me bimë.

Ajo dhe Misha, të dy rreth të njëzetat, u vendosën në ndërtesë vetëm dy javë më parë. Banesa e tyre ishte në katin e 14-të.

“Ne sapo kishim hyrë në banesë kur dëgjuam menjëherë shpërthimin e parë. Sapo kishim dalë nga ashensori”, thotë Misha, duke shpjeguar se kishin arritur të dilnin në ballkonin e tyre dhe t’i shpëtonin zjarrit.

“Nëse do të zgjaste një minutë më shumë, do të ishim djegur. Tridhjetë sekonda më shumë do të ishim vrarë”, thotë ai, duke shtuar se ishin me fat.

Mund të kishte shumë më shumë viktima këtu, por ndërtesa është e re, shumë nga banesat nuk ishin të banuara.

(Kosova Sot Online)