Hovenier e fton për drekë Hysenin: Zvarritja e dialogut është në interes të Rusisë

  • E.K /
  • 29 April 2022 - 15:20
Hovenier e fton për drekë Hysenin: Zvarritja e dialogut është në interes të Rusisë

Ish-kryenegociator për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, është pritur nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, në rezidencën e tij për drekë. Hyseni tha se procesit të dialogut i duhet të përshpejtojë.

Hyseni thotë se kishte pajtim të plotë me ambasadorin amerikan se status quo-ja nuk i konvenon Kosovës dhe është armiku më i madh i saj.

“Bëmë një bisedë shumë të hapur dhe përmbajtjesore për aktualitetin në rajon, me theks të veçantë për zhvillimet në Kosovë dhe domosdonë e dialogut të përshpejtuar me Serbinë. Theksova se status quo-ja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër! Me ambasadorin Hovenier kishim pajtim të plotë se status-quoja është kundër interesave afatgjata të Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Hyseni.

Ai tha se dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është prioritet mbi të gjitha prioritet dhe urgjencë për Kosovën.

“Çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status quo-së është në interes të Rusisë, ishte pika për të cilën kishim pajtim të plotë me ambasadorin Hovenier”.

Për dëmin që i sjell Kosovës status quo-ja kishin folur edhe amerikanët që së fundi vizituan Kosovën. Ndihmëssekretarja e Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Azi, Karen Donfried dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e sollën këtë mesazh te krerët kosovarë. 

(Kosova Sot Online)