Komunat me shumicë serbe me nivelin më të ulët të performancës

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 13:46
Komunat me shumicë serbe me nivelin më të ulët të performancës

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të shtunën përmes një konference për media ka prezantuar Raportin e Performancës Komunale, me ç’rast ka njoftuar se ky raport krahasuar me vitet paraprake është dukshëm më i mirë.

Sipas tij raporti në fjalë do të përcaktojë se cilat komuna do të përfitojnë grantin për performancë.

Në raportin në fjalë, sipas Krasniqit pjesëmarrës ishin të gjitha komunat, përpos komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të dhënat e ministrisë nuk janë autorizuar nga kryetari i Komunës.

Në anën tjetër raporti sipas Diellor Gashit, drejtor i Departamentit për Perfomrancë dhe Tranparencë Komunale, ka treguar se komunat me shumicë serbe kanë përqindjen më të ulët të performancës, për shkak të keqpërdorimeve.

“Sa i përket rezultateve apo të arriturave, mesatarja e përgjithshme në ushtrimin e kompetencave vërehet në shkallën prej 57.06 %, është përqindje më e ulët se në vitin 2019. Komunat me shumicë serbe reflektojnë me përqindje të ulët të performancës për shkak të keqraportimit”, tha ai.

Sa i përket transparencës komunale, Gashi tha se komunat kanë shënuar përmirësim në krahasim me vitin paraprak.

“Në këtë fushë komunat kanë arritur 77.2% në total dhe 4.7% më shumë se vitin paraprak. Arsimi parauniversitar 67.81%. Infrastruktura rrugore në vlerë 52.30%, 86% e rrugëve janë të shtruara dhe 58% janë mirëmbajtur. Ajo çka duhet komunat të fokusohen është që duhet të punojnë në drejtim të transportit alternativ në ndërtimin e shtigjeve. Edhe uji i pijshëm shënon rritje në krahasim me 2019. Të dhënat tregojnë se 75% janë të kyçur në ujësjellës”.

(Kosova Sot Online)