Ambasadori i Ukrainës në Gjermani: Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar

  • E.K /
  • 02 May 2022 - 13:20
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani: Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk ka dhënë një intervistë për Bild-in, duke ndezur alarmin në Europë lidhur me rrezikun nga Rusia.

“Duhet të jesh në gjendje të qeshësh, përndryshe çmendesh. Por tani e kam shumë të vështirë. Si të gjithë ukrainasit, kam shumë netë pa gjumë duke u shqetësuar për krimet e tmerrshme të luftës që rusët po kryejnë në atdheun tim”, thotë Andriy Melnyk.

I pyetur për përshkallëzimin e luftës më tej, ai tha se tashmë ka filluar Lufta e Tretë Botërore.

“Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar. Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës prek të gjithë, përfshirë gjermanët, edhe pse ende jo ushtarakisht. Të gjithë duhet ta kenë të qartë: Putini dëshiron një rend të ri botëror imperialist me një NATO më të vogël, të cilës Polonia, Republika Çeke dhe Sllovenia nuk i përkasin më. Putini po e bën këtë luftë asgjësimi kundër gjithë Perëndimit, kundër sistemit tonë të vlerave”, tha ai.

Frika e Gjermanisë se përfshihet në luftë duke dërguar armë në Ukrainë, Melnyk tha se “është absurditet i plotë”.

“Për Putinin, Gjermania ka qenë prej kohësh palë në këtë luftë. Kushdo që dëshiron ta parandalojë përshkallëzimin e luftës së tyre, duhet të na ndihmojë tani… Një fitore ruse në Ukrainë do të ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte Gjermanisë”, tha ai.

Sa i përket armatimit, ai tha se tanket Gepard të dërguara nga Gjermania janë të vjetra 40 vjet.

“Për ta mposhtur Rusinë, ne kemi nevojë për armët më moderne gjermane”, tha ai.

(Kosova Sot Online)