Gjermania synon të pavarësohet nga nafta ruse deri në fund të vitit, si?

  • G.G /
  • 03 May 2022 - 12:53
Gjermania synon të pavarësohet nga nafta ruse deri në fund të vitit, si?

Gjermania po synon të arrijë pavarësinë e saj nga nafta ruse  deri në fund të vitit 2022, por ende nuk dihet se si do të t’ia arrijë këtij qëllimi. Gjermania ka grumbulluar naftë si rezerva në 50 vitet e fundit dhe nëse do të bazohej në to, do të t’i mjaftonin vetëm për 200 ditë.

Deutsche Welle shkruan se koha e naftës së lirë nga Rusia ka kaluar.  “Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habek dëshiron që Gjermania të jetë “pothuajse e pavarur” nga importet ruse të naftës deri në fund të këtij viti. Megjithatë, shumë pyetje janë ende të hapura, për shembull, si synon saktësisht Berlini ta arrijë këtë qëllim? Zgjerimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme po zgjat më shumë dhe ende nuk është sqaruar çështja e burimeve alternative të naftës” shkruan mediumi gjerman.

 Ngjashëm është edhe në vendet e tjera të BE-së. Komisioneri i Unionit për Punët e Jashtme Josep Borrell deklaroi së fundmi se po punojnë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për naftën. Ai gjithashtu konfirmoi se sanksionet lidhur me naftën dhe gazin janë ende në “lojë”.

“Nëse më herët vendoset embargoja e importit të naftës ruse, në atë rast Gjermania mund të arrijë edhe në rezervat kombëtare të naftës, të cilat filluan të mbahen 50 vjet më parë, për shkak të krizës së madhe të naftës. Me ndihmën e këtyre rezervave mund të “mbijetosh” pa Rusinë për 200 ditë, thuhet në një dokument të hartuar nga Ministria e Ekonomisë, që citon të përditshmen Handelsblatt. Por, në dokument theksohet se në përgatitjen e asaj përllogaritjeje nuk është marrë parasysh cilësia e naftës bruto, gjegjësisht çështja e transportit. Dhe kjo do të thotë konkretisht se disa rafineri gjermane, pas vendosjes së embargos, mund të gjenden në probleme serioze.

Megjithatë, dëmi ekonomik, të paktën për sa i përket Gjermanisë, do të ishte relativisht i vogël. Rezistenca e Berlinit ndaj embargos së mundshme të deritanishme padyshim kishte arsye krejtësisht të ndryshme: domethënë, frika se Putini, në rast të bojkotit të naftës ruse, mund të “fikte” rubinetin për hyrjen e gazit rus. Dhe kjo mund të ketë pasoja të mëdha për shumë vende, përfshirë Gjermaninë.

(Kosova Sot Online)