Për çfarë janë pajtuar Kurti e Vuçiq, që takohen në Berlin?

  • G.G /
  • 03 May 2022 - 13:07
Për çfarë janë pajtuar Kurti e Vuçiq, që takohen në Berlin?

Për herë të parë, që kur nisi rreth 12 vjet më parë, procesi i dialogut Kosovë-Serbi, një takim i nivelit të lartë mes dy vendeve, me ndërmjetësimin e BE-së, do të mbahet jashtë Brukselit. Megjithatë, kjo nuk është e veçanta e vetme.

Pyetja është se për çfarë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tani që do të takohen në Berlin?

Përgjigjen në një pyetje të tillë, do të duhej të jepnin zyrtarët e Bashkimit Evropian, nëse ata do t’i referoheshin deklarimit të Miroslav Lajçakut,  të dërguarit të posaçëm të BE-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Diplomati sllovak, që tani punon për llogari të BE-së, në një intervistë të dhënë për Radion “Evropa e Lirë”, e publikuar me 23 mars të këtij viti, kishte paralajmëruar një takim të tretë të këtij niveli, por që sipas tij, do të ndodhte pasi që palët të pajtohen për diçka.

Titulli i kësaj interviste të gjatë është: “Lajçak: Kurti dhe Vuçiq do të takohen kur të pajtohen për diçka”.

Aty Lajcak citohet të thotë se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka ngecur, por sipas tij, – “po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve”.

Lajçak në këtë intervistë deklaron se takimet e kryenegociatroëve po bëhen për të përgatitur takimin e tretë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në pyetjen se:- “Me cilën pikë të këtij mandati që keni – i cili ju skadon në muajin gusht – mund të imagjinoni një tjetër takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel?”, Lajçak kishte dhënë përgjigje të qartë.

“…Ne i kemi pasur ata këtu dy herë. Për takimin e tretë kemi dashur të sigurohemi që të prodhojmë diçka. Kjo është ajo që presin njerëzit. Dialogu nuk ka alternativë. Kjo gjë është shumë e qartë…”, thotë Lajçak në këtë intervistë.

Tani, takimi i tretë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, është caktuar të mbahet nesër (4 maj) në Berlin.

Për këtë arsye, RTKlive.com ka dërguar pyetje në BE, përkatësisht zëdhënësve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Joseph Borrel, që rëndom përgjigjen për aktivitetet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Mirosla Lajcak.

Pyetja drejtuar nga RTKlive.com për zëdhënësit Peter Stano e Zoi Muletier,  duke iu referuar deklaratës së Lajçakut në intervistën e dhënë për Radion “Evropa e Lirë” me 23 mars se:“Për çfarë janë pajtuar Kurti e Vuçiq, që është bërë i mundur të mbahet takimi i tretë mes tyre”, megjithatë, nuk mori përgjigje.

Pyetjet e dërguara të premten e 29 prillit nuk morën përgjigje as pas katër ditësh, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Sidoqoftë, të mërkurën, Kurti e Vuçiq do të takohen fillimisht ndaras me kancelarin gjerman Olaf Scholz, e më pas në një darkë zyrtare, do të kenë një takim të përbashkët me Miroslav Lajçak, të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo që është e sigurt është se takimi do të mbahet, por nëse kryeministri Kurti e presidenti Vuçiq janë pajtuar për diçka, kjo mbetet të shihet.

(Kosova Sot Online)