E raportojnë të dyja palët, luftime të ashpra në zonën e fabrikës ku janë ngujuar civilë ukrainas

  • G.G /
  • 03 May 2022 - 15:19
E raportojnë të dyja palët, luftime të ashpra në zonën e fabrikës ku janë ngujuar civilë ukrainas

Videot që po dalin nga luftimet në zonën e fabrikës së çelikut Azovstal shfaqin shtëllunga tymi të mëdha dhe shpërthime të fuqishme. Në ndërtesën e kësaj fabrike, sipas autoriteteve ukrainase, janë më shumë se 200 civilë të bllokuar, duke përfshirë rreth 20 fëmijë.

Për këto sulme kanë raportuar edhe Ukraina edhe Rusia. Sipas llogarive zyrtare nga të dyja palët, forcat ruse po nisin sulme të reja në kompleksin e rrënuar, shkruan CNN.

“Gjatë gjithë natës uzina u godit nga artileria, artileria detare dhe avionët. Dy gra civile në një nga bunkerët u vranë si rezultat i një sulmi masiv ajror”, tha Denys Shlega, komandant i Gardës Kombëtare, për televizionin ukrainas nga Azovstal.

Regjimenti ukrainas Azov postoi imazhe të kufomave të të dyja grave brenda kompleksit.

“Që në mëngjes, armiku është përpjekur të sulmojë fabrikën Azovstal me forca të konsiderueshme duke përdorur mjete të blinduara. Ushtarët tanë i zmbrapsin me guxim të gjitha sulmet”, tha Shlega.

Sviatoslav Palamar, një komandant i regjimentit Azov gjithashtu brenda kompleksit, i tha CNN të martën se Azovstal “tani po sulmohet”.

Ai tha se edhe një spial fushor është i dëmtuar rëndë dhe se mjekët që po punojnë aty janë në kushte shumë të vështira.

“Aktualisht në uzinë janë rreth 500 të plagosur”, shtoi Shlega.

Media shtetërore ruse RIA Novosti raportoi të martën se luftëtarët ukrainas “përfituan nga armëpushimi në Azovstal dhe morën pozicionet e qitjes”. Gazeta citoi zëdhënësin e ministrisë ruse të mbrojtjes Vadim Astafiev. RIA Novosti raportoi se trupat ruse vazhdojnë të sulmojnë ato pozicione të qitjes.

“Ata kanë lënë bunkerët dhe kanë marrë pozicione mbrojtëse në territorin e uzinës. Aktualisht, trupat e DPR dhe forcat e armatosura ruse kanë filluar t’i shkatërrojnë ato pozicione me artileri dhe aviacion”, tha Astafiev.

Të dielën, rreth 100 civilë mundën të largoheshin nga centrali në një evakuim që u organizua nga Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, por që atëherë nuk ka pasur evakuime të reja.

(Kosova Sot Online)