Pal Lekaj deklarohet i pafajshëm për 53 milionët

  • G.G /
  • 04 May 2022 - 10:16
Pal Lekaj deklarohet i pafajshëm për 53 milionët

Në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gjykata Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca fillestare në rastin e “53 milionë eurove”,  (të ndara shtesë për “Bechtel & Enka”), ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë: Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka”,  ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj  pasi që të akuzuarit në MI në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar autoritetin zyrtarë. Të pandehurit në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ndërmarrjes “Bechtel & Enka”,  kanë nënshkruar marrëveshje për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve saktësisht edhe për 347 ditë të tjera, duke mos e përcaktuar koston financiare, veprim ky qe i lë hapur mundësinë “Bechtel & Enkas” që të kërkojë shumën në vlerë prej 63 milionë euro e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë”, ka thënë prokurori duke e lexuar aktakuzën e tij.

Në këtë mënyrë sipas prokurorit, të pandehurit, injorojnë në tërësi opinionin e kompanisë “Hill International”, madje Lekaj thuhet se “fare nuk e kishte prezantuar në takimet e Komitetit Ndërministror, të mbajtura për këtë qëllim”.

Të akuzuarit pas leximit të aktakuzës janë deklaruar të pafajshëm.

Ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, ka kërkuar nga prokurori që ta sqarojë se çfarë dispozite ligjore ka shkelur sa ka qenë këshilltar ligjor i ministrit.

“Por sa i përket rregullores kisha pas dëshirë nga Prokuroria speciale të sqarojë dispozitat ligjore që gjatë kryerjes së detyrës zyrtarë kam rënë ndesh me atë dispozite ligjore. Aktakuzën tjetër e kuptoj dhe e konsideroj vetën të pafajshëm”, ka thënë Berisha.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 17 qershor në ora 10:00.

(Kosova Sot Online)