Kurti udhëton për në Berlin, Qeveria publikon video gjatë rrugës

  • G.G /
  • 04 May 2022 - 10:30
Kurti udhëton për në Berlin, Qeveria publikon video gjatë rrugës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të pritet në takim nga Kancelari Olaf Scholz.

Lajmin e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare, ku kanë publikuar një video gjatë rrugës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Berlin, Gjermani, ku do të ketë takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Shcolz”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndryshe, Shefi i Qeverisë gjermane, Olaf Scholz, do t’i takojë sot në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic.

Këtë e kanë konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express nga Qeveria Gjermane.

Takimi në mes të kancelarit gjerman dhe kryeministrit Kurti, siç i është konfirmuar Gazetës Express do të zhvillohet në orën 15:00 të datës 4 maj, e ku do të flitet për situatën aktuale të sigurisë pas ngjarjeve në Ukrainë, çështjet rajonale dhe për raportet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Ndërkohë me presidentin e Serbisë, Scholz do të takohet në orën 17 e 30, dhe do të diskutojnë për agresionin e Rusisë në Ukrainë, çështjet dypalëshe Serbi-Gjermani, dhe çështjet ekonomike dhe rajonale.

Siç kanë thënë nga Qeveria gjermane këto bisedime do të shërbejnë në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Për këtë arsye, pra në shërbim të mbështetjes së dialogut Prishtinë-Beograd, Scholz ka ftuar në Berlin edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, i cili do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, në mbrëmjen e 4 majit.

https://video.fprn13-1.fna.fbcdn.net/v/t42.1790-2/279665757_1628515827534196_6932135238434772853_n.mp4?_nc_cat=107&ccb=1-5&_nc_sid=985c63&efg=eyJybHIiOjM1NiwicmxhIjo1MTIsInZlbmNvZGVfdGFnIjoic3ZlX3NkIn0%3D&_nc_ohc=teMCrVSRvhMAX8cbLh8&rl=356&vabr=198&_nc_ht=video.fprn13-1.fna&edm=AGo2L-IEAAAA&oh=00_AT81O0NwJQhhtwCyQEzchMdcVxliIpM5Iw8EHydgQQgTeA&oe=62726184

(Kosova Sot Online)