Nxjerrja e mësimeve nga lufta në Ukrainë, Mehaj: Lënda e sigurisë, e domosdoshme në shkolla

  • G.G /
  • 04 May 2022 - 14:31
Nxjerrja e mësimeve nga lufta në Ukrainë, Mehaj: Lënda e sigurisë, e domosdoshme në shkolla

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Duke folur për nevojën e mbrojtjes së vendit, Mehaj tha se përveçse po planifikojnë rekrutimin e 20 mijë ushtarëve rezervë, janë angazhuar edhe për futjen në shkolla të lëndës së sigurisë për mësimin e reagimit në raste emergjente.

Ai këtë e tha pas pyetjes së deputetit të LDK-së, Anton Quni, i cili e pyeti nëse kanë nxjerrë mësim nga lufta në Ukrainë.

“Tani, pasi jemi në procesin draftimeve e dokumenteve strategjike, a keni menduar që të nxjerrin mësime të mësuara nga lufta në Ukraine. Shtetet që i kanë kapacitetet, dërgojnë analiste, studiojnë se çka po ndodh atje. Ne nuk i kemi ato mundësi, por me aq sa kemi a do të mundemi me marrë mësime që pastaj do ti’ përdorim në dokumentet tona strategjike, stërvitje, aplikimin e teknikave, pastaj me diskutua për mobilizime e të tjera”, ka thënë Quni në pyetjen e tij.

Ndërkaq, ministri Mehaj u përgjigj se disa teori ushtarake kanë rënë poshtë dhe janë sfiduar edhe përmes luftës në Ukrainë.

“Iniciativa kam marrë se lënda e sigurisë dhe e paqes është e domosdoshme të futet në shkolla. Të dihet qysh reagon e vepron për çfarëdo emergjencë. Jemi duke e punuar konceptin për rezervë vullnetare, duhet t’i kemi rreth 20 mijë vetë që nevojiten për ta mbrojtur vendin, por edhe të stërviten”, ka thënë Mehaj.

(Kosova Sot Online)