Zelensky i kërkon Bullgarisë ta ndihmojë në riparimin e pajisjeve ushtarake

  • E.K /
  • 04 May 2022 - 15:19
Zelensky i kërkon Bullgarisë ta ndihmojë në riparimin e pajisjeve ushtarake

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Bullgarisë që të ndihmojë Ukrainën me riparimin e pajisjeve ushtarake të dëmtuara në luftën e vazhdueshme me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja.

Ambasadori i Ukrainës në Sofje, Vitaly Moskalenko, ka paraqitur një letër nga Zelensky në Parlamentin e Bullgarisë, në të cilën presidenti ukrainas thotë se autoritetet në Kiev shpresojnë se Bullgaria do të ndihmojë në riparimin e pajisjeve ushtarake ukrainase dhe do të vazhdojë të ndihmojë ukrainasit që ikin nga lufta.

Zelensky shpreson që Bullgaria të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare, duke përfshirë ilaçe, veshje dhe ushqim. Në letër, ai thotë se shpreson se bashkëpunimi energjetik midis dy vendeve dhe eksporti i energjisë elektrike dhe gazit nga Ukraina në Bullgari do të vazhdojë.

Zelensky thotë gjithashtu se shpreson që Bullgaria të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Parlamenti bullgar do të vendosë sot, nëse do të mbështesë Ukrainën me “pajisje ushtarako-teknike”.

Rusia ndërpreu furnizimin me gaz natyror për Poloninë dhe Bullgarinë javën e kaluar, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike përgjigjen e saj ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom tha në një deklaratë të mërkurën se kishte ndërprerë plotësisht furnizimet për kompaninë polake të gazit PGNiG dhe Bulgargaz të Bullgarisë pasi ata refuzuan të plotësonin kërkesën e Moskës për të paguar në rubla, në vend të euro ose dollarë.

(Kosova Sot Online)