Fjalët e forta të kancelarit: Angazhohem me këmbëngulje brenda BE’së që t’i hiqen vizat Kosovës

  • E.K /
  • 04 May 2022 - 17:29
Fjalët e forta të kancelarit: Angazhohem me këmbëngulje brenda BE’së që t’i hiqen vizat Kosovës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dha një mesazh të fuqishëm nga Berlini se Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Scholz tha se qeveria që drejton e ka të fiksuar si objektiv edhe në marrëveshjen e koalicionit qeveritar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai nuk përmendi ndonjë afat e as nëse do të arrijë t’i bindë vendet skeptike si Franca e Holanda që ta japin mbështetjen e tyre që Kosovës t’i heqen vizat.

Scholz në konferencën për media në Berlin bashkë me kryeministrin Albin Kurti tha se personalisht angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Evropian, në bisedat me partnerët angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.

Berlini zyrtar ka mbështetur vazhdimisht liberalizimin e vizave për Kosovën, për të cilën çështje Komisioni Evropian ka dhënë dritën e gjelbër në vitin 2016 dhe 2018 duke i rekomanduar Këshillit të BE-së që të marrë vendim për heqjen e regjimit të vizave, vendim që sot e kësaj dite mungon.

Scholz foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi për të cilin proces tha se Gjermania e përkrahë dhe ofron kuadro që do të kontribuonin në një marrëveshje mes palëve.

“Kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që do të arrijnë të dyja vendet dhe janë shumë detaje por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh pra është njohja e Kosovës.  Këto janë tema për të cilat kërkojnë strategji të shkurtra apo të gjata por të gjitha duhet të bëjnë përparime shpejt, prandaj ne japim mbështetjen tonë në këtë drejtim dhe ofrojmë një kuadër në mënyrë që kjo të arrihet”, tha Scholz.

Kancelari Scholz paralajmëroi se në kuadër të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor do të ketë katër marrëveshje që do të nënshkruhen në gjysmën e dytë të këtij viti përfshirë lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave personale.

Kancelari gjermani u shpreh se do të realizojë edhe një vizitë zyrtare në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)