KGJK zgjedh gjyqtarin Valon Totaj kryetar të Gjykatës së Apelit

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 09:57
KGJK zgjedh gjyqtarin Valon Totaj kryetar të Gjykatës së Apelit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 286-të, të mbajtur të enjten, ka zgjedhur gjyqtarin Valon Totaj, kryetar të Gjykatës së Apelit.

Totaj në këtë pozitë u zgjodh pasi mori votat e gjashtë anëtarëve të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mandati i gjyqtarit Totaj në pozitën e kryetarit fillon nga 5 maji 2022 dhe është pesëvjeçar.

Ndryshe, Komisioni Vlerësues ka rekomanduar për votim në Këshill edhe kandidatët Bashkim Hyseni, Zyhdi Haziri, Nehat Idrizi dhe Hashim Qollaku, mirëpo të njëjtit nuk arritën të marrin votat e mjaftushme në Këshill për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Gjyqtarët Hyseni, Qollaku dhe Idrizi morën nga një votë nga anëtarët e Këshillit.

Kandidat për kryetar të Gjykatës së Apelit ka qenë edhe gjyqtari Kreshnik Radoniqi, tani edhe kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mirëpo i njëjti është tërhequr nga kjo garë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për të njëjtin ka konstatuar se zgjedhja eventuale e tij në pozitën e kryetarit të Apelit duke qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit.

Komisioni Vlerësues me përbërje të anëtarëve Vilard Bytyqi, Avni Mehmeti dhe Fahret Velija, më 4 prill 2022 ka intervistuar kandidatët, Hashim Çollaku, Nehat Idrizi, Zyhdi Haziri, Valon Totaj dhe Bashkim Hyseni, gjyqtarë këta që i kanë hyrë garës për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit, sipas konkursit të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Gjyqtari Radoniqi, më 14 qershor 2021, ishte emëruar Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani.

Ndryshe, që nga gushti i viit 2021, pozitën e të parit në Gjykatën e Apelit e ka ushtruar Afrim Shala, të cilin KGJK e kishte caktuar ushtrues detyre, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Kjo pasi, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i ka përfunduar mandati në fillim të muajit gusht 2021.

(Kosova Sot Online)