Inteligjenca ukrainase: Rusia po përgatitet që paradën e “Ditës së Fitores” ta mbajë në Mariupol

  • G.G /
  • 05 May 2022 - 12:53
Inteligjenca ukrainase: Rusia po përgatitet që paradën e “Ditës së Fitores” ta mbajë në Mariupol

Rusia po planifikon një paradë ushtarake në qytetin e sulmuar të Mariupolit, tha dje shërbimi i inteligjencës i Ukrainës, shkruan Euronews.

Parada është caktuar të mbahet në qytetin juglindor të Ukrainës më 9 maj për të përkuar me Paradën e Ditës së Fitores të Moskës, e cila feston fitoren e saj mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Mariupol “do të bëhet qendra e festimeve”, tha Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (GUR). “Rrugët kryesore të qytetit po pastrohen urgjentisht, po hiqen mbeturinat dhe trupat e pajetë, si dhe municionet që nuk shpërthyen,” shtoi ajo.

GUR e përshkroi paradën si pjesë e një “fushate propagandistike në shkallë të gjerë” nga Rusia për të ndikuar te rreth 120,000 njerëz që mbeten në qytetin e bombarduar, i cili tani është kryesisht nën kontrollin rus.

“Ata po shtypin të gjitha provat e krimeve që kanë kryer,” tha kryebashkiaku i Mariupolit Vadym Boychenko. “Ata i japin ushqim popullatës vendase në këmbim të punës së tyre”.

Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu nuk konfirmoi se parada do të zhvillohej në Mariupol kur u pyet për përgatitjet e vendit të tij për Ditën e Fitores.

Por ai tha: “Këtë vit, parada ushtarake do të zhvillohen në 28 qytete ruse”, duke shtuar “afërsisht 65,000 njerëz, rreth 2,400 lloje armësh dhe pajisje ushtarake dhe më shumë se 460 avionë do të mobilizohen”.

Sipas GUR, zëvendësdrejtori i Administratës Presidenciale Ruse Sergei Kirienko ka mbërritur në Mariupol për t’u përgatitur për paradën.

“Misioni kryesor i zyrtarit të zotit Putin është përgatitja e ceremonive të 9 majit”, thuhet në deklaratën e shërbimit të inteligjencës.

(Kosova Sot Online)