Akuzohet për vrasjen e ish të dashurit, kjo është kërkesa e Prokurorisë për ferizajasen

  • G.G /
  • 05 May 2022 - 13:00
Akuzohet për vrasjen e ish të dashurit, kjo është kërkesa e Prokurorisë për ferizajasen

Prokurorja Sebahate Sinani në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka kërkuar që e akuzuara Mimoza Pajaziti të shpallet fajtore për vrasjen e ish-të dashurit. Në anën tjetër, avokati i të akuzuarës, Sevdail Robelli ka kërkuar që ndaj të njëjtës të shpallet aktgjykim lirues.

Këto deklarime, palët në procedurë i bënë gjatë seancës së të enjtes, ku u dhanë fjalët përfundimtare, pasi e akuzuara Pajaziti shfrytëzoi të drejtën që të mbrohet në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Sebahate Sinani, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, e cila gjatë elaborimit të saj ka kërkuar që e akuzuara të shpallet fajore dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurorja Sinani ka propozuar që gjatë matjes dhe përcaktimin së llojit dhe lartësisë së dënimit, të merren parasysh të gjitha rrethanat, të cilat bëjnë që dënimi të ashpërsohet.

Posaçërisht, ajo kërkoi që si rrethana rënduese të merren parasysh shkalla e lartë e dashjes për kryerjen e vepres penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, duke pasur parasysh fakin se sipas saj, e njëjta ka vepruar në mënyrë dinake, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tani të ndjerit.

Sipas saj, nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e dënimit të të akuzuarës.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Lavdrim Xheladini, i propozoi gjykatës që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

Ai ndër të tjera tha se në këtë rast duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese, siç janë motivet e ulëta të kryerjes së vepres penale, qëllimi, dashja, paramendimi, veprimet përgatitore të të akuzuarës, veprimet për shmangie nga përgjegjësia në mënyrë dinake si dhe peshën dhe pasojat e veprës penale si dhe moshën e re të të ndjerit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Sevdail Robelli ka kërkuar që ndaj të njëjtës të merret aktgjykim lirues.

Avokati Robelli, gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare ndër të tjera tha se as me administrimin e provave e as me dëgjimin e dëshmitarëve, asnjëherë nuk është vërtetuar prezenca e të akuzuarës në vendin e ngjarjes, e as fakti e se e njëjta e ka kryer këtë vepër penale.

Ai tutje shtoi se në këtë rast janë bërë gabime gjatë fazës së hetimit dhe i propozoi gjykatës që të marrë parasysh edhe dy mostrat e ADN-së, të cilat janë gjetur në automjetin e tani të ndjerit.

Pas dëgjimit të tyre, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustafë Tahiri bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër (6 maj).

Ndryshe, më 25 shkurt 2021 ndaj të akuzuarës Mimoza Pajaziti ishte shpallur aktgjykim dënues nga kryetari i trupit gjykues, Mustafë Tahiri, ku e akuzuara ishte dënuar me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të njëjtës, ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 18 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2020, nga prokurorja Sebahate Sinani, Mimoza Pajaziti akuzohet se më 31 gusht 2018, në Ferizaj, përkatësisht në afërsi të restorantit “Ujëvara“, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura me përgatitje paraprake, fillimisht vihet në kontakt me tani të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon nga i njëjti që të takohen, duke mos i dhënë ndonjë arsye konkrete.

Sipas aktit akuzues, në ditën kritike, në kohën dhe vendin e lartshënuar, lë takim me të, e më pas me t’u takuar, me veturën e tij të markës “Land Rover” futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës, e qëllon dy herë me armë zjarri të markës “Crevna Zastava M57”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ajo e qëllon një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse, ndërsa menjëherë pas kryerjes së veprës penale, e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë.

Pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18 dhjetor 2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu sipas aktakuzës, Pajaziti akuzohet se në ditën kritike, pa autorizim dhe leje përkatëse, ka poseduar armë zjarri të tipit pistoletë “Crevna Zastava M57” me kalibër 7.66 mm, si dhe një karikator me 5 copë fishekë të kalibrit 7.62mm, të cilat ditën kritike gjenden dhe sekuestrohen nga ulësja e parë e veturës së të ndjerit A.K.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarën me veprën penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 i Kodit Penal, si dhe veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”, nga neni 374 i Kodit Penal. 

(Kosova Sot Online)