Gjykimi në rastin ku babë e bir akuzohen për vrasje të dhëndrrit, dëshmitari thotë se i ndjeri kishte shprehur shqetësime në polici

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 15:29
Gjykimi në rastin ku babë e bir akuzohen për vrasje të dhëndrrit, dëshmitari thotë se i ndjeri kishte shprehur shqetësime në polici

Dëshmitari Ahmet Jusufi, zyrtar policor në Stacionin Policor Veriu, ka thënë se tani i ndjeri kishte shprehur shqetësimet e tij në stacionin policor, në gjykimin ku Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra akuzohen për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të 2019-ës, në Prishtinë.

Besnik Shkodra po akuzohet për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, kurse babai i tij, Baki Shkodriqi po akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I dëmtuari ka ardhë në stacion, por data nuk më kujtohet, është e shënuar në raportin policor, i njëjti ka shpreh shqetësime lidhur me atë se ka disa shqetësime në telefon prej babës së gruas, i cili ka thënë se momentalisht është në Austri”, tha dëshmitari Jusufi.

Jusufi shtoi se pas kësaj, kishin kërkuar nga tani i ndjeri t’ua tregojë mesazhet telefonike në mënyrë që të fillohej me procedurën, por i njëjti kishte deklaruar se nuk posedon telefon, por këto mesazhe kanë qenë në telefonin e gruas së tij.

“Ne kemi kërkuar nga ai që të shkon ta merr të shoqen dhe telefonin në mënyrë që të shohim se çfarë shqetësime ka, i njëjti ka pranuar këto udhëzime, tona e kemi përcjell nga stacioni dhe i njëjti ka premtuar që do të vijë në stacion për të sjellë dëshminë”, shtoi Jusufi.

Tutje, dëshmitari tha se tani i ndjeri gjatë gjithë kohës ishte fokusuar në babanë e gruas, tani të akuzuarin Baki Shkodriqi, ndërsa të akuzuarin tjetër Besnik Shkodra nuk i kujtohej se e kishte përmendur.

Në fund, Jusufi tha se ditën e nesërme në stacion policor ishte shfaqur një person duke pranuar se ka privuar nga jeta të ndjerin, por pasi që kishte qenë fundi i orarit të punës së ti,j e kishte shoqëruar në stacion dhe e ka udhëzuar ndërrimin e ardhshëm për të vazhduar me procedurën.

Ndryshe, në seancën e sotme në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe vëllai i të ndjerit, Behar Jashari.

Por, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti e ka mbyllur për publikun publikimin e dëshmisë së tij.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë shiqimi i një video-incizimi të vendit të ngjarjes në ditën kritike, e cila ishte ndërprerë në seancën e kaluar.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 1 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja. 

(Kosova Sot Online)