Rama për marrëdhëniet me Serbinë: Të harrohen rrëmujat e së shkuarës

  • E.K /
  • 06 May 2022 - 11:54
Rama për marrëdhëniet me Serbinë: Të harrohen rrëmujat e së shkuarës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se duhet të rritemi dhe të harrohen rrëmujat e së shkuarës, duke iu referuar marrëdhënieve të shqiptarëve me serbët.

Duke folur në Konferencën e 18-të të nismës Adriatiko-Joniane, Rama theksoi se “nuk duhet të harrohet se sa kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, për telashet që i kemi hapur vetës”, duke aluduar në vendet e Ballkanit.

“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha ‘komshiu i lumtur ,shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjesht një makth. Ne jemi këtu për të qëndruar. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin. Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë. Sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Për atë që po ndodh në Ukrainë, Rama e quajti si mësim të jashtëzakonshëm për të vazhduar paqen.

“Ajo që po ndodh sot në Evropë, jo larg prej këtej, në Ukrainë është një mësim i jashtëzakonshëm. Të vazhdojmë të ecim në rrugën e paqes, për të shmangur rënien në kurthet e së shkuarës. Mësimi i kësaj lufte është i çmuar për të gjithë ne. Është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë historinë tonë. Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ta bëjmë këtë bashkëpunim në vlerë të shtuar. Nuk ka aspak dyshim se individualisht jemi më mirë sot seç ishim më parë, por së bashku ende po humbasim shumë nga potenciali ynë për ta bërë jetën shumë më të mirë”. 

(Kosova Sot Online)